Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 08:53

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi përcolli edhe një herë mesazhin se nuk mund të ketë ndarje, as krijim të realitetit serb në veri të Kosovës.

“E kuptoj se nuk është e lehtë të jetohet me një qëllim, objektiv apo ëndërr për ndarje të Kosovës apo krijim të realitetit serb në veri, diçka e tillë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, edhe si qëllim serb, por edhe si ëndërr serbe”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri kosovar ftoi qytetarët serbë, shtetas të Republikës së Kosovës, që të shkëputen nga ndikimi shumë negativ dhe i rrezikshëm i strukturave kriminale, të financuara dhe të mbështetura nga Beogradi, për të cilin ai tha se mban përgjegjësi direkt.

Thaçi tha se nuk do të ketë kthim para 25 korrikut, vendimit për marrje nën kontroll të dy pikave kufitare në veri, dhe përkujtoi dakordin e qeverisë të arritur me KFOR-in për ruajtjen e gjendjes së re të krijuar atje.

“Në pikën 1 janë të instaluara trupat amerikane, ndërsa në pikën 31 janë  KFOR-i, Policia e Kosovës, doganierët e Kosovës, EULEX-i. Me krijimin e kushteve për punë në pikën 1, pas djegieve do të instalohet edhe Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi.