Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:17

Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot se “jam i gatshëm të komunikoj me qytetarët tanë në veri, por në asnjë mënyrë nuk do të komunikoj me strukturat ilegale dhe kriminale”.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë. Ne kemi respektuar në kuptimin më afirmativ të gjitha komunitetet. Kjo është e garantuar edhe me dokumentin e Presidentit Ahtisaari”, tha Thaçi në përgjigje të interesimit të medias lidhur me situatën në veriun e vendit.

Kreu i qeverisë tha se “është obligimi im kushtetues dhe ligjor, por edhe obligimi im qytetar, si kryeministër i Kosovës, të komunikoj me të gjithë qytetarët e vendit pa dallime etnike, të sqarojmë proceset nëpër të cilat po kalojmë, të orientohen nga Prishtina dhe të largohen nga mashtrimi 12 vjeçar, që i ka bërë Beogradi atyre qytetarëve”.

Ne, vijoi ai, duam të ndryshojmë jetën e tyre për të mirë siç kemi bërë ndryshime edhe në vendet e tjera, ku jetojnë me shumicë serbët, në Shtërpcë, Graçanicë, etj, ku sot kemi një bashkëpunim si institucione të Republikës së Kosovës me autoritete lokale që pranojnë  institucionet e dala nga vota e qytetarit.

“Qytetarët atje kanë nevojë më tepër për një jetë më të sigurt, krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenie sociale se sa për politikë mashtruese të Beogradit”, tha kryeministri kosovar.