Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 07:12

Pa kaluar njëzet e katër orë, Isa Mustafa ka marrë përgjigje prej Hashim Thaçit se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Presidentes Jahjaga duhet të respektohet sikurse ka ndodhur me vendimet për Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin.

 

Me këtë deklaratë, Thaçi ka acaruar edhe më shumë raportet mes PDK’së dhe LDK’së duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe më shumë procesin ndryshimeve kushtetuese dhe reformave zgjedhore.

Kërkesat e Isa Mustafës që të respektohet marrëveshja e arritur vitin e kaluar mes kreut të PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, Thaçi i ka cilësuar veprime prej inatçori.

“Mendoj se është sjellje thjesht e interesit të ngushtë dhe një veprim inatçor krahas respektimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Thaçi, për Top Channel, të martën.

Lideri i LDK’së kërkoi të hënën që Presidentja, Kryeministri dhe faktori ndërkombëtarë të deklarohen edhe një herë për sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Prillit të vitit të kaluar, për zgjedhjen e Jahjagës me mandat të shkurtuar.

Presidentja, Kryeministri dhe faktori ndërkombëtar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë deklaruar se duhet të respektohet mandati kushtetues i Presidentes aktuale, e jo siç është paraparë në marrëveshjen Thaçi-Mustafa-Pacolli.

Madje, në një deklaratë të Qeverisë, ishte thënë se Kryeministri do ta respektojë dhe zbatojë vendimin e Gjykatës, derisa në atë kohë ka bërë thirrje për tejkalimin e interesave personale dhe vazhdimin e punëve në interes të shtetit.

Megjithëkëtë, Lideri i LDK’së nuk e ka përjashtuar edhe bojkotin parlamentar nëse ujdia për mandatin e Atifete Jahjagës nuk shkon deri në fund.

Ai ka thënë se nuk do të ketë votim të LDK’së për reforma zgjedhore dhe kushtetuese pa u larguar Presidentja aktuale.

Por, Kryeministri Thaçi ka thënë se deklaratat e Isë Mustafës janë të shkëputura nga realiteti dhe se paralajmërimet për bojkotim të punës së Kuvendit nuk i shërbejnë shtetit.

Sipas tij, respektimi i vendimeve për presidentet paraprak duhet të merret shembull edhe te rasti zbatimit të vlerësimeve të Gjykatës edhe sa i përket rastit Jahjaga.

“Ne nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Sejdiu ta respektojmë të gjithë, vendimin për rastin Pacolli ta respektojmë të gjithë, ndërsa në anën tjetër, tani, vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta vëmë në kontestim”, ka thënë ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 6 korrik, sqaron se mandati i Presidentes Jahjaga është pesë vjet dhe nuk mund të shkurtohet me amendament kushtetues, ashtu siç kishin paraparë me Marrëveshjen PDK- LDK- AKR.

Tash, Kryeministri Thaçi ka fajësuar LDK’në, sepse sipas tij, gjithë ky “pështjellim” është sjellë nga kjo parti, e cila kërkoi të interpretonte amandamentin për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Presidentes.

Madje, Shefi i PDK’së ka thënë se më së shumti moszbatimi i Marrëveshjes do ta dëmtojë partinë e tij,

“Tek e fundit, dua të them shumë hapur, në mënyrën më të sinqertë para qytetarëve të Republikës së Kosovës, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese më së tepërmi ka dëmtuar politikisht PDK’në, sepse PDK’ja në zgjedhje do ta fitonte Presidentin, në zgjedhjet që do të mund të organizoheshin”, ka deklaruar Thaçi.

Ndryshe, Presidentja Atifete Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit pas një marrëveshjeje mes dy partive në pushtet dhe LDK’së, për tejkalimin e krizës institucionale të vitit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese kishte shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Pacollit në krye të Shtetit. (Express)