Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 16:44

Prishtinë – Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së  Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it, që po zbatohet suksesshëm në dy pika kufitare me Serbinë.  Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se me 31 dhjetor IBM-i do të nis së zbatuari edhe në dy pika kufitare, në Bërnjak dhe tek Dheu i Bardhë.

Qeveria në mbledhjen e sotme,nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka miratuar Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2013 i hartuar nga Zyra e Kryeministrit.

Duke e prezantuar këtë dokument të rëndësishëm para kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se  Plani Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2013 përmban prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë pjesë e Programit të Qeverisë 2011-2014, Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2013-2015, Deklaratës së Prioriteteve të Qeverisë për vitin 2013, prioritete këto të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, social dhe institucional të Republikës së Kosovës.

“Përkrahja e Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik, Qeverisja e Mirë dhe Fuqizimi i Sundimit të Ligjit, Zhvillimi i Kapaciteteve Njerëzore dhe Rritja e Mirëqenies Sociale janë prioritete strategjike të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për vitin 2013”, theksoi  Kuçi , duke shtuar se këto objektiva mbështeten në buxhetin e dedikuar si dhe në politikat të cilat Qeveria synon t`i realizoj.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje (MMHP), Projektligjin për Treguesit Gjeografik (MTI), dhe Projektligjin për Tarifat e veçanta të akcizës në prodhimet e alkoolit (MF).

Po sot janë miratuar Rregullorja për planifikimin e trajnimeve dhe koordinimin e donacioneve për trajnimet e institucioneve të Sigurisë Publike të cilat organizohen dhe mbahen në Akademia e Kosovës për Siguri Publike (MPB), Rregullorja për Kodin e Etikës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (MPB) dhe Rregullorja  për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

Qeveria ka miratuar Planin e  Veprimit për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim propozuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane . “Ky plan i veprimit përbënë dokumentin kyç të Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian” ka thënë zëvendësministri Gëzim Kasapolli.

Me këtë dokument përcaktohen aktivitetet e institucioneve shtetërore drejt adresimit të të gjeturave të Studimit të Fizibilitetit, si dhe negociimit dhe përmbushjes së obligimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Në takimin e sotëm është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Po ashtu janë miratuar Koncept-dokumentet për Ministrinë ë  Financave (MF) dhe Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

Në bazë të propozimit të Ministrisë së Financave, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012.(K.N/LajmeShqip.com)