Lajme Shqip Thursday, 23 February 2012 11:44

Prishtinë-Kryeministri Hashim Thaçi, në një prononcim për gazetën Express, ka thënë se Serbia sot pranon pavarësinë e Kosovës.

Ai është shprehur i sigurt se marrëveshja për përfaqësim rajonal do të nënshkruhet sot, ndërkohë që  Rezolutën 1244 sërish e ka quajtur të vdekur.

“Me marrëveshjen e re që do të arrihet sot në Bruksel, Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo po e pranon Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kurse Rezoluta 1244 ka qenë e vdekur dhe mbetet e vdekur”, ka thënë Thaçi për Express, sot në mëngjes.

Ndërkohë në Bruksel po vazhdon sot në ditën e dytë raundi i nëntë i dialogut Kosovë -Serbi, pas bisedimeve të djeshme nëntë orëshe, pa marrëveshje për bashkëpunimin rajonal.

Mediat nga Brukseli raportojnë se pas përfundimit të takimit mbrëmë nuk pati asnjë deklaratë nga asnjëra palë, as nga Kosova, as nga Serbia dhe as nga BE, ndërsa sot në orën 10:00 do të vazhdojë dialogu.

Dialogu në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve, vazhdon pas tetë raundeve të zhvilluara gjatë vitit 2011, duke filluar nga 8 marsi. (LajmeShqip.com)