Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 14:29

Bruksel- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bisedë telefonike nga Brukseli për emisionin Interaktiv të KTV-së, ka thënë se takimi me homologun e tij Ivica Daçiç shënon një kapitull të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Është kërkuar që të punohet më intensivisht për implementimin e marrëveshjeve teknike të arritura me ndërmjetësimin e BE-së”, ka thënë Thaçi. Ai ka theksuar se nuk është e lehtë për askënd të ketë takime me përfaqësues të shtetit serb për shkak të së kaluarës së hidhur.

“Në raport me Serbinë, e kujtojmë të kaluarën e hidhur, gjenocidin dhe ardhjen e tyre me dhunë. Por gjithashtu nuk duhet harruar se në fund Kosova ka fituar, është shtet i pavarur dhe sovran, por kjo nuk mjafton pasi Kosova synon integrimin në BE dhe në NATO. Prandaj ne nuk mund të jetojmë me të kaluarën por duhet të jetojmë për një jetë më të mirë për fëmijët tanë”, është shprehur Thaçi.

Thaçi ka pohuar se në takim me Daçiqin kanë pasur një shtrëngim duarsh, ashtu siç e sheh protokolli dhe rregullat e takimeve. Për dallim nga ky, kryeministri serb dje ka thënë për mediumet e vendit të tij se nuk ka pasur shtrëngim duarsh me Thaçin.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se në takimin e së premtes është hapur edhe tema e të pagjeturve. Ndër të tjera, sipas kryeministrit, këto takime do të rezultojnë edhe me shpërbërjen, siç ka thënë ai, definitive të strukturave paralele në pjesën veriore të Kosovës.

I pyetur nëse në këto takime do të diskutohet për veriun e vendit, shefi i qeverisë kosovare edhe një herë ka përsëritur se për çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës nuk do të bisedohet me askënd. Thaçi në takim i është përgjigjur me humor homologut të tij serb, Daçiç, kur ky i fundit i ka thënë se Kosova është e tij po aq sa është edhe e Thaçit. “Me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës mund t’i keni dy shtetësi, dhe Kosova po ashtu garanton dhe respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, i ka thënë Thaçi Daçiçit. (LajmeShqip.com)