Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 13:47

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i zgjat dorën e bashkëpunimit serbëve në veri të vendit duke deklaruar se është i gatshëm të takohet dhe bisedojë me ta. “Angazhimi im është që të gjithë të gëzojnë të drejtat e barabarta. Theksoj se Kosova është një shtëpi e të gjithë atyre që duan të jetojnë në të, të gjithë shqiptarëve, serbëve, romëve dhe të qytetarëve të tjerë”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për agjencinë serbe, Tanjug. Ai theksoi se “Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri”.

Duke shprehur keqardhje që s’mund të flasë në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës i ka lëshuar një thirrje të përzemërt serbëve. “Edhe pse nuk mund t’iu drejtohem në gjuhën serbe, po iu flas nga thellësia e zemrës dhe shpirtit tim, kur iu them që të ata kthehen kah Prishtina, që të mos jetojnë në të kaluarën, të punojmë së bashku dhe së bashku të ndërtojmë një shtëpi të përbashkët dhe ajo është Kosova sovrane”, tha Thaçi. “Unë u them atyre se çfarë më dikton zemra ime, si kryeministër, por mbi të gjitha si një njeri dhe si një prind. Unë i kuptoj ata plotësisht dhe dua t’i ndihmoj ata”, theksoi kryeministri i Kosovës .