Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:17

Prishtinë-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Godo dhe Partisë Republikane të Shqipërisë, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit, kryetarit të nderit të Partisë Republikane të Shqipërisë, Sabri Godo.

Në telegramin e ngushëllimit, Thaçi shprehet se “me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit të mençur shqiptar, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, mikut tim, Sabri Godo”.

Ai thekson se në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar.

“Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës”, thekson shefi i qeverisë kosovare.

Ai shon se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha institucionet e vendit dhe populli i Kosovës, do të jenë përherë mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të politikanit dhe intelektualit Sabri Godo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të mbështetësit të madh të Kosovës, Sabri Godo”, përfundohet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi

Krasniqi: Politika dhe kultura shqiptare e humbi Godon

Prishtinë-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kransiqi u ka shprehur ngushëllime familjes së shkrimtarit dhe politikanit Sabri Godo, i cili u nda sot nga jeta në moshën 82 vjeçare.

“Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte”, shprehet Krasniqi.

Më tej ai thekson se “Sabri Godo ishte shumë i mirëpritur në Kosovë, së cilës i kushtoi angazhim të përhershëm, kurse në rininë e tij kishte qenë këndej kufirit me armë në dorë për lirinë e shqiptarëve dhe të popujve jugosllavë”