Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 20:17

Prishtinë – Në përvjetorin e parë të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi shprehu sot përgëzimet për ndërkombëtarët, që u vunë në mbështetje të së drejtës legjitime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë më të re në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit”, thekson ai në një deklaratë.

Kryeministri shton se “ky prezantim i opinionit të GJND-së ishte shumë i qartë, në përputhshmëri të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në përputhshmëri të plotë me vendimin e institucioneve tona për të shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”.