Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 20:32

Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur një marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme në Bruksel, atë për përfaqësimin e Shtetit të Kosovës në mekanizmat rajonal dhe me gjerë.

Prandaj, lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahttisarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Evropiane.

Dhe nuk po flas këtu për liberalizimin e vizave, apo marrëveshjen tregtare, por për Procesin e Stabilizim-Asocimit, që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe Evropiane.

Kosova anëtarësohet, përfaqësohet, flet në emër të saj dhe ka fuqinë dhe autoritetin e nënshkrimit në të gjitha institucionet multilaterale si shtete të barabarta.

Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Unë jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës. Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme.

Unë jam i vetëdijshëm që veprimi i qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur është në të mirë të vendit.

Por, thelbi i të qenurit lider apo edhe kryeministër, qëndron në marrjen e vendimeve serioze dhe shpesh herë edhe të vështira.

Ky vendim që kam marrë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë pikërisht i tillë.

Por, si Kryeministër, unë jam shumë i bindur që kemi ndërmarrë vendimin e duhur për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës.

Kosova, me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim, dhe jo izolim.

Kosova u përcaktua ta përfaqësoj vetveten e jo të përfaqësohet nga të tjerët.

Me këtë marrëveshje e larguam përgjithmonë UNMIK-n nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës.

Kjo marrëveshje, ne asnjë rrethane nuk e zbeh në asnjë rrethanë shtetësinë e vendit tonë. Përkundrazi, e forcën atë, duke i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në të gjithë mekanizmat ku do të përfaqësohet.

Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Gjatë ditëve të kaluara dhe sot kam qenë në kontakt dhe konsulta të vazhdueshme me partnerët tanë, me SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë, Shqipërinë etj.

Kam marrë garancat e plota që marrëveshja për bashkëpunim dhe përfaqësim rajonal do të jetë çelësi për integrimin evropian të Kosovës.

Si lider politik dhe kryeministër i vendit dhe shërbyes për të gjithë qytetarët e Kosovës, unë kam përgjegjësi që të shoh përtej politikave dhe kalkulimeve të ngushta ditore.

E kam për detyrë të jem i përgjegjshëm dhe të ushtroj përgjegjësinë për të ardhmen e vendit tim.

Kam obligim të dal jashtë çdo kornize politike partiake, politike elektorale. Për të ardhmen e qytetarëve të vendit tim.

Unë jam i bindur, dhe koha do ta vërtetojë, që vendimi i sotëm do të fuqizojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar, do ta fuqizoj shtetin tonë dhe të ardhmen tonë.

Të nderuar qytetarë te  Republikës se Kosoves
Asnjëherë, me asnjë kusht, me asnjë çmim nuk do të pranoja asnjë marrëveshje që nuk e fuqizon shtetësisë tonë.

Sovraniteti dhe rregullimi ynë i brendshëm kushtetues assesi nuk guxon të ngatërrohet me përfaqësimin në forumet rajonale.

Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga Institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me Opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë.

Si politikanë të përgjegjshëm ne ua kemi borxh atyre që dhanë jetën dhe çdo që që patën, e mbi të gjitha, ua kemi borxh fëmijëve tanë ndërtimin e Kosovës se re Kosoves evropiane. Dhe integrimin ne NATO dhe BE.

Si kryeministër, nuk do të ndalem së punuari për këtë qëllim, për këtë vizion: Kosovën e pavarur, sovrane dhe evropiane.

Unë e di që ky është vizioni i qytetarëve të Kosovës, e di që ky është vizioni që na bashkon.
Kosova evropiane duhet të na bashkojë të gjithëve, pa dallime partiake, etnike, religjioni apo lokaliteti.

Sistemi i vlerave euroatlantike duhet ta rrisë unitetin politik dhe qytetar në Kosovë.

Partneriteti evropian dhe miqësia e përjetshme me SHBA-të duhet të na afrojë me njeri tjetrin edhe me shumë.

Mbi të gjitha rruga, qëllimi dhe vizioni ynë për integrimin e shtetit të Kosovës sa më shpejtë në NATO dhe Bashkim Evropian, është realiteti i bashkimit tonë.

Sot secilin nga ne na thërret ndërgjegje për të dalë mbi interesat politike, partiake, mbi egot personale – në shërbim të Kosovës Evropiane.

Ju faleminderit!