Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:45

Me rastin e 28 Nëntorit,  Festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe daljes publike të UÇK-së, kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe vendosi kurora lulesh.

Pas homazheve para varrit të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kryeministri Thaçi deklaroi se ky është vendi ku merr frymëzim, vendi ku merr energji për punë, për angazhime për të realizuar vizionin për të ardhmen e Kosovës për integrim në BE dhe në NATO, për të zhvilluar edhe më tepër Kosovën, për të ndërtuar Kosovën evropiane.

“Dashuria për atdhe duhet të kultivohet dhe kurrë nuk është e mjaftueshme. Prandaj, ky nderim shtetëror sot është nderim për të kaluarën, për Familjen Jashari, për Komandantin Legjendar Adem Jashari, për gjithë dëshmorët e lirisë, për luftën e UÇK-së dhe sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. Sepse, pa luftë nuk do ta kishim lirinë dhe çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e saj”, tha kryeministri Thaçi.

Duke shprehur edhe një herë respektin më të madh për të gjithë dëshmorët e lirisë ai tha se “pa liri nuk do të kishim këtë zhvillim që kemi sot në Republikën e Kosovës”.