Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 08:00

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje u prit në selinë e Kombeve të Bashkuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Në një komunikatë nga zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se temë kryesore e diskutimit ishin zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi e informoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së edhe për tensionimin e situatës së fundit në Mitrovicë.

Në takim, Kryeministri Thaçi falenderoi Sekretarin Ban Ki Moon për përkrahjen e tij personale dhe refuzimin që Kombet e Bashkuara të organizojnë zgjedhjet e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, e cila jo vetëm që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244.

Në takim, veç të tjerash, u bisedua edhe për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet dhe reformat e fundit, legjislative, politike, si dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit theksoi rëndësinë e përkrahjes së Kosovës dhe ritheksoi se vizioni i tij dhe qeverisë së Kosovës është integrimi i Kosovës dhe i gjithë rajonit në BE dhe në NATO , si dhe në një të ardhme jo të largët Kosova të jetë edhe anëtare në OKB.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim ka kërkuar mbështetjen personale të Sekretarit të Përgjithshëm që t’i mundësohet edhe Kosovës të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.