Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 19:58

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të qeverisë, shprehu falënderimin për Grupin Drejtues Ndërkombëtar, që edhe një herë ka rikonfirmuar mbështetjen e vet për procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. “Kjo është edhe një mbështetje për angazhimin e institucioneve tona për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
“Lajmi për ndarjen e mjeteve për mbështetjen  e reformave në drejtësi dhe në reformën e administratës publike, për periudhën 2011-2013, nga Komisioni Evropian për Kosovën, në vlerë prej 203 milion euro, është edhe një dëshmi se Kosova është duke ecur në rrugën e drejtë, në rrugën e integrimit  dhe zhvillimit”, theksoi kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë.
“Raportet tona me SHBA-të dhe BE-në kanë qenë dhe do të mbeten të shkëlqyera”, tha Thaçi në deklaratat për media pas mbledhjes, duke shtuar se këto raporte “duhet t’i ruajmë si sytë e ballit”.
“Ai është investimi ynë, është vullneti i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky është edhe fati ynë, është edhe vizioni politik për të ardhmen”, theksoi ai.