Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 16:05

Shkup – Edhe zyrtarisht deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), janë kthyer në Parlament. Në koordinimin e së hënës të koordinatorëve të grupeve parlamentare ka marrë pjesë edhe koordinatori i Grupit Parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu.

“Është një kthim teknik i PDSH-së në Parlament. Ne do t’i parashtrojmë këkesat tona me qëllim që të shpërbëhet Parlamenti dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Qëndrimi i PDSH-së, lidhur me këtë është i njohur, ky është Parlamenti më antishqiptar në 20 vitet e fundit, Parlament i cili arriti ta largojë vendin nga NATO dhe Bashkimi Evropian (BE). Jofunksional dhe jolegjitim”, ka thënë koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu, pas takimit koordinues me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski.

“Kthehemi që të ndërpritet kjo politikë antishqiptare, ky cirk politik dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ne do marrim pjesë në punimet e Parlamentit vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor dhe me procedurat për shpërbërjen e parlamentit”, ka thënë më tej Aliu.

Kërkesat e PDSH-së mbi Kodin Zgjedhor janë ridefinimi i njësisë së 6-të zgjedhore, anëtarët partiakë në Këshillat Zgjedhore dhe monitorimi i vazhdueshëm ndërkombëtar.

Ndërkohë, lidhur me ridefinimin e kufijve të njësisë së 6-të zgjedhore PDSH që në vitin 2006 ka propozuar amandamente. “Për sa i përket njësisë së 6-të zgjedhore PDSH ka propozuar amendament që nga viti 2006, pasi që tejkalohet limiti i numrit të votuesve nga njësitë tjera zgjedhore. Për fat të mirë të shqiptarëve natalitetin ende e kemi në nivel dhe numri i shqiptarëve rritet, e me atë edhe numri i votuesve shqiptar”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, njësiazgjedhore numër 6, ka 11.3 për qind më shumë votues nga njësia 3. Tani parashtrohet pyetja çka do të bëjmë do ta bëjmë limit 11 për qind, plus minus. Në mënyrë flagrante thyhet e drejta e votës dhe ligji që parasheh minus plus 5 për qind. “Propozimi i PDSH-së për revidimin e njësisë së 6-të zgjedhore është që Zajazi dhe Osllomeji t’i bashkëngjiten njësisë së 5-të zgjedhore. Pasi që Kërçova është në njësinë e 5-të zgjedhore, ndërsa Zajazi dhe Osllomej janë pjesë e Kërçovës. Pra, administrativisht lidhen me Ohrin dhe Strugën, kështu që ky revidim do ishte më i lehtë për t’u realizuar”, ka thënë më tej Aliu, duke sqaruar propozimin e tyre për revidimin e njësisë së 6-të zgjedhore.

Në pyetjen se në rast se nuk pranohen asnjë nga kërkesat e PDSH-së, si do të reagojë PDSH, Aliu ka thënë se ka pajtueshmëri për ridefinimin e kufijve zgjedhorë.

“Të gjithë kohëve të fundit pajtohen se patjetër duhet të kemi ridefinim të kufijve zgjedhorë të njësisë së 6-të zgjedhore”, ka thënë ai.

Vendimin për kthimin e PDSH-së në Parlament e ka përshëndetur kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

“E përshëndes vendimin e PDSH-së për kthimin në parlament. Njëkohësisht dua t’u bëjë apel edhe partive të tjera opozitare, të cilat e bojkotojnë punën e Parlamentit, të kthehen”, ka thënë Veljanovski.

Ndryshe, PDSH bojkoton punën e Parlamentit që nga 17 gushti i vitit 1999, ndërsa koordinimet e grupeve parlamentare te kryeparlamentari Trajko Veljanovski, që më herët se 17 gushti, pasi që sipas tyre, “ato kanë karakter teknik”. (Lajemshqip.com)