Lajme Shqip Friday, 13 September 2013 13:28

Prishtinë- Në konferencën e parë të shtypit si kryeministra të Shqipërisë e të Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi folën me bindje të sigurt për marrëdhëniet dhe përparimin e tyre ndërmjet popullit të të dy vendeve. Ata preken pozitën e shqiptarëve në rajon: Në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

Në pyetjen e gazetarit të Kohës për Thaçin se kryeministrin e Shqipërisë e quajti mik ndërsa kryeministrin turk Erdogan e quajti vëlla, u përgjigj vetë Rama duke thënë se Thaçin e ka mik e vëlla, prandaj edhe vëllai i Thaçit (Erdogani) është edhe vëlla i im, tha duke u qeshur Edi Rama .

Thaçi i bishtnoi përgjigjes në këtë pyetje duke folur për miqësinë e hershme ndërmjet tij e Ramës dhe duke mos quajtur atë miqësi ideologjike por miqësi bashkëpunimi për shqiptarët…
Në vazhdim Thaçi theksoi se ka besim të plotë se Qeveria Rama, do të luaj rol të veçantë në arritjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

“Ne gjithashtu me Ramën biseduam për marrëdhëniet që ka Kosova me vendet e rajonit. E falënderova kryeministrin e ri për mbështetjen që i ka dhënë Shqipëria dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.

Të dy kryeministrat kanë biseduar për të gjitha sferat, politike, ekonomike e kulturore që përvojat e mira të dy vendeve të barten të njëra tjetra.

“Me theks të veçantë biseduam që edhe Kosova të kyçet në gazsjellësin TAP”, ka thënë Thaçi.
Kurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se, Marrëveshja Kosovë-Serbi e ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme mes këtyre vendeve, si një histori që paqja do të sjellë një zhvillim ekonomik dhe social.

“Kryeministri Thaçi më njoftoi në mënyrë detaje për marrëveshjen e arritur në Bruksel”, ka deklaruar Rama.
Ai tha se, me Thaçin kanë biseduar edhe rreth mundësisë për një bashkëqeverisje strategjike.
“Jemi pajtuar që të takohemi me mbledhje të përbashkëta për të mirën e dy vendeve. Mbledhja e parë mes dy qeverive do të nis në nëntor”, ka pohuar Rama.

“Unë e shoh Kosovën sot si një shtet 5-vjeç që ka çka t’i mësoj shumë shtetit 101 vjeçar”, ka thënë Rama./koha/