Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 09:32

Prishtinë (PLOTESUAR 12:15)- Kryeministri Hashim Thaçi dhe zv/kryeministri Behxhet Pacolli i kërkuan Presidentit të Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve. 

Burime nga kryeministria kosovare njoftuan sot se “në vazhdim të vizitës zyrtare në Nju Jork, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zv/kryeministri Behgjet Pacolli takuan Presidentin e Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang Nguema Mbasogo.  Kryeministri Thaçi e njohu Presidentin Mbasogo me proceset politike në të cilat ka kaluar Kosova në rrugëtimin e saj të shtetndërtimit, veçanërisht me procesin e përmbylljes së pavarësisë. 

“Kosova tashmë është shtet i konsoliduar, demokratik që ka transmetuar seriozitet tek bashkësia ndërkombëtare, si dhe konsiderohet faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Thaçi gjatë takimit. (LajmeShqip.com)

*************************

Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me zv/kryeministrin Behxhet Pacolli, takuan në Nju Jork Ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Bernard Membe.

Kryeministria kosovare bëri të ditur se Thaçi e njohu ministrin Membe me proceset politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, veçanërisht me procesin e përmbylljes së pavarësisë. “Kosova tashmë është shtet i konsoliduar që ka transmetuar seriozitet tek bashkësia ndërkombëtare”, tha kreu i qeverisë kosovare gjatë takimit.

Thaçi e Pacolli i këkuan edhe njëherë ministrit Membe njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga Tanzania, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi, nëpërmjet ministrit Bernard Membe, i përcolli ftesën Presidentit të Tanzanisë, Yakaya Kikwete, për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. (LajmeShqip.com)