Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 19:24

Kryeministri Hashim Thaçi ka dënuar dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it nga ana e strukturave kriminale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër dhunën të strukturave paralele serbe të ushtruar ndaj ushtarëve të KFORI-t, me ç’rast janë lënduar rreth 20 ushtarë të KFOR-it. Qeveria e është e vendosur dhe përkrah vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

Të gjithë ato struktura kriminale në veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqeruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë jetësimin e plotë të vizionit të saj për hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik, si dhe për zhvillimin e procesit demokratik zgjedhor edhe në pjesën veriore të Kosovës”, thuhet ne deklaraten e Qeverise se Kosoves. 

Edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dënon sulmin e serbëve të rebeluar ndaj KFOR-it në Rudarë të Zveçanit, duke i quajtur akte të tilla të dhunës si të pa tolerueshme dhe të cilat nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit. Si rezultat i sulmit të serbëve të rebeluar në veri ndaj KFOR-it gjatë natës së kaluar janë lënduar 21 pjesëtarë të misionit paqeruajtës në vend.

“Sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që kanë ardhur me mision paqësor në Republikën e Kosovës, është një akt i shëmtuar që gjykohet nga të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Këto akte do të marrin përgjigje ligjore sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vlerë kjo e demokracisë”, thuhet në reagim.

Presidentja Jahjaga ka pasur të enjten një bisedë telefonike me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Erhard Drevs, të cilit i shprehu brengosjen e saj për incidentin e mbrëmshëm dhe uroi që ushtarët e lënduar të shërohen sa më shpejt.

Rexhepi: Përdorimi i forcës i paevitueshëm

Përdorimi i forcës mund të jetë i paevitueshëm për të garantuar lirinë e lëvizjes në veri të vendit. Ka qënë ky reagimi i ministrit të brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi, sipas së cilit heqja e barrikadave në rrugët e veriut dhe funksionimi i organeve të sigurisë atje duket se nuk do të mund të realizohet pa përdorimin e forcës.

“Duket se pa përdorim të dhunës nuk do të mund të ketë pastrim të rrugëve sepse përditë tentimet për të larguar barrikadat po përcillen me sulm ndaj ushtarëve”, ka thënë Rexhepi duke folur për Radio Kosova.

Një nga opsionet e KFOR-it për të lënë çështjen e heqjes më masive të barrikadave është përmendur dhjetori apo janari, pasi koha të ftohet edhe më shumë dhe njerëzit të mos mund të qëndrojnë gjithë kohën pranë barrikadave.

Por, ministri Rexhepi është skeptik që ky opsion mund të funksionojë. “Ata mund ta mendojnë kohën e ftoftë si opsion, por serbët atje kanë sistem alarmi dhe aktivizohen shumë shpejt”, ka theksuar Rexhepi.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar në pothuajse të gjitha linjat rrugore që çojnë për në dy portat kufitare 1 dhe 31 që nga 25 korriku kur Qeveria e vendit vendosi të marrë nën kontroll pikat kufitare në veri.