Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 21:20

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, se bllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës do të marrë fund dhe zbatimi i marrëveshjes me NATO-n për tejkalimin e situatës në atë pjesë të vendit nënkupton vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën.

Thaçi hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës, duke nënvizuar se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit.

Thaçi e konsideroi marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s, si arritja më e fuqishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “sepse nënkupton definitivisht, respektimin e plotë të vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që instalon NATO-n në kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, më 25 korrik ka ndodhur ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të 1999”.

Ai e vlerësoi vendimin e qeverisë së Kosovës si një vendim të drejtë, të ligjshëm, kushtetues, një vendim i domosdoshëm, i cili ka krijuar rrethanën e re, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Përsa i përket bllokadave të rrugëve nga disa qytetarë serbë të veriut, Thaçi theksoi se “pika një e marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s do të implementohet shpejt dhe bllokadat dhe bllokuesit i kanë orët e numëruara për hapjen e tyre. Në të kundërtën, qeveria e Republikës së Kosovës, do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e saj kushtetues dhe ligjor për hapjen e rrugëve”.

Përsa i përket zërave për një ndarje të mundshme të Kosovës, Thaçi tha se “nuk ka rrezik për ndarjen e Kosovës. Ka pasur ide, qëllime, projekte por edhe synime konkrete të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Diçka e tillë nuk do të ndodhë. Tani kemi një realitet krejt të ri. Kemi forcën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. E ritheksoj se jo vetëm si qëllim, por as edhe si ëndërr nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës siç ka pretenduar Beogradi”.

Por, ne  tha Thaçi, “kemi shfaqur edhe shqetësimin tonë dhe këtë e kemi konfirmuar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve në rajonin tonë. Dhe veriu i Mitrovicës, nuk është vetëm veri që i takon një problematike kosovare. Është një problematikë gjithë evropiane, por mund të them edhe gjithë ndërkombëtare”.