Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 23:37

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur nga Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy.

Zyra e shtypit e kryeministrisë kosovare bëri të ditur se në takim është biseduar për agjendën evropiane të Kosovës dhe për përshpejtimin e këtij procesi të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Thaçi theksoi se konfirmimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për avancimin substancial të agjendës evropiane të Kosovës përmes fillimit të procesit të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën është një hap jetik për perspektivën evropiane të Kosovës.

Në takimin me z. Rompuy, kryeministri Thaçi ka theksuar se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për promovimin e vlerave evropiane. Ky nuk është vetëm vizion imi si lider, por edhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse ne besojmë që marrëveshja e arritur për përfaqësimin rajonal dhe ajo për menaxhimin e integruar të kufijve, shënojnë një faze të re të raporteve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri Thaçi në vazhdim ka theksuar se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë mirënjohës për përkrahjen e BE-së për Kosovën, përmes ndërrmarjes së hapave konkretë për të avancuar integrimin e Kosovës në BE. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi në mënyrë të veçantë ka falënderuar Presidentin Rompuy për mbështetjen dhënë procesit të integrimit evropian të Kosovës. 

“Unë dua t’ju siguroj që në Kosovë do të vazhdojmë të punojmë shumë për të bërë detyrat tona të shtëpisë, për përmbushjen e reformave të nevojshme për të zhvilluar ekonominë tonë, për ta afruar Kosovën drejt Bashkimit Evropian. Por, ne gjithashtu presim nga BE-ja që ta ketë derën e hapur për ne dhe të na ndihmojë për ta bërë sa më të shkurtër këtë rrugë”, theksoi z.Thaçi.

Nga ana e tij, Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy vlerësoi përkushtimin dhe lidershipin e kryeministrit Thaçi për të thelluar angazhimet për përmbushjen e agjendës evropiane për Kosovën.

Z. Rompuy gjatë takimit me kryeministrin Thaçi ka rikonfirmuar që perspektiva e Kosovës është perspektiva evropiane dhe në këtë rrugë Kosova dhe institucionet e saj do ta kenë mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.