Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 20:15

Prishtinë – “Dialogu teknik Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjen reciproke mes dy shteteve dhe do të përshpejtojë procesin e integrimeve euroatlantike”, tha të mërkurën kryeministri kosovar, Hashim Thaçi.

Sipas tij, “përmbyllja e ciklit të bisedimeve do të jetë njohja e Serbisë ndaj shtetit e Kosovës, pra do të ndodhë njohja reciproke”.

“Do të vazhdojë procesi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, por edhe i të gjithë rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky është një proces i pandalshëm.

Ai shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend që diskuton çështje teknike, duke kujtuar se çështje të tilla teknike janë diskutuar edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, dhe se ka çështje që diskutohen edhe mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Ne me Serbinë, mund të vonojmë njëra-tjetrën në integrimet euroatlantike, prandaj këto konkluzione do ta përshpejtojnë këtë proces”, tha kryeministri i Kosovës, i pyetur nga ATSH.

“Ky dialog ka qenë një obligim ndërkombëtar që Kosova ka pranuar në bazë të një rezolute të OKB-së që është miratuar vitin e kaluar. Kjo është një axhendë evropiane me zgjidhje të modelit evropian dhe në Kosovë ka një konsensus të gjithë spektrit politik”, theksoi kryeministri Thaçi.

Më parë, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi përshëndeti thirrjen e Konferencës së Vendeve Islamike, në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi informoi gjithashtu kabinetin qeveritar se, Kosova tashmë ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Institucionet tona tashmë kanë proceduar kërkesën për fillimin e procedurave për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm financiar”, tha ai.