Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 15:45

Prishtinë – Pas takimit që kishte me Sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Mun në ambientet e Aeroportit “Adem Jashari”, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se OKB-ja nuk mund të marrë pjesë në dialogun teknik që ka filluar tash e dy vjet me Serbinë.

Ndërsa sa i përket bisedimeve me Serbinë të një niveli politik, kryeministri Thaçi ka deklaruar se paraprakisht duhet të zbatohen marrëveshjet e që pastaj të vazhdohet me dialog teknik.

Kryeministri ka thënë se e ka njoftuar Sekretarin e OKB-së për arritjet që kanë bërë institucionet e shtetit të Kosovës.

Kryeministri u është përgjigjur mesazheve për luftë të presidentit serb Tomisllav Nikoliq, duke thënë se janë mesazhe të mentalitetit të Milloseviqit dhe se do të dilte prapë në ballë të betejës që Nikoliq të mbetet dhe humbës nga aventurat e tij në raport me Kosovën.

“Unë sot i përgjigjem përsëri se në rrethanat çfarë ai pretendon përsëri unë do të jem në ballë të betejës për t`u larguar Nikolic humbës dhe i turpëruar nga çfarëdo aventurë e re e tij në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi në konferencën për shtyp.

Ai ka thënë se në rast se Serbia hynë edhe një herë në luftë, atëherë krejt shteti serb do të koncentrohet në Beograd, duke mbetur vetëm si Pashallëku i Beogradit.

“Por, çdo aventurë e tij e re në raport me Kosovën nënkupton se ai do ta harroj Kosovën por duhet të mendoj më tepër për Pashallëkun e Beogradit”, ka deklaruar ai.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, kryeministri Thaçi, me ftesë të shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, udhëtoi për vizitë në Bruksel.

Në takimin me Ketrin Eshton do të diskutohet për ecurinë e deritashme të dialogut Prishtinë – Beograd, zbatimin e marrëveshjeve të arritura, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe çështje të tjera me rëndësi. (LajmeShqip.com)