Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 20:37

Prishtinë – Përforcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë, në funksion të rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës, ishin tema të takimit të zhvilluar sot mes kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe zëvendës-kryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Pas takimit, u bë e ditur se Thaçi shprehu vizionin e Qeverisë së  Kosovës dhe institucioneve kosovare për një politikë të jashtme proaktive, të koordinuar me miqtë e Kosovës, ku veçoi në mënyrë të veçantë, rolin e rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu, edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në një takim ku është biseduar për zhvillimet në Kosovë e rajon, me theks të veçantë për thellimin përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën, të cilën e ka quajtur shumë të rëndësishme për zhvillimet në vend. Ai është shprehur i bindur se me përfundimin e autostradës së kombit shtohen shumë mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat e jetës, si ekonomi, arsim, kulturë, e pse jo edhe në lëmin e legjislacionit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka vlerësuar zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Haxhinasto, ndër mbështetësit e Kosovës, i cili e shtron, gati në të gjitha takimet ndërkombëtare që ka, nevojën e njohjes nga sa më shumë vende të shteti të ri të Kosovës.

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur konsideratat e tij më larta për rolin e z. Krasniqi si kryetar i Kuvendit dhe si  ushtrues i detyrës së president Kosovës, por edhe për rolin që ka pasur për konstituimin organeve të reja të vendit, të dala nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.

Pas takimit, ministri i Jashtëm shqiptar, Haxhinasto, u ka deklaruar gazetarëve se me z. Krasniqi janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve. Ai ka vlerësuar tepër të rëndësishme bashkëpunimin në lëmin e legjislacionit, sidomos për sa përket përafrimit me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Pse të mos bëhemi model për rajon për liberalizimin e marrëdhënieve tregtare”, është shprehur Haxhinasto, duke folur për mundësitë e gjera të bashkëpunimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është takuar në orët e pasdites edhe me përfaqësuesit e minoriteteve dhe me liderët e partive politike opozitare në Kosovë.