Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 16:13

Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme marrëveshjen për bashkëpunimin dhe përfaqësimin rajonal, të arritur sot në Bruksel, në raundin e nëntë të dialogut me Serbinë.

“Sot qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur një marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme në Bruksel, atë të përfaqësimit të Kosovës në mekanizmat rajonale dhe me gjerë”, tha ai në një konferencë shtypi të mbajtur pak më parë.

“Prandaj, lirisht mund të them se përderisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Presidentit Ahtisaari i solli Kosovës pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjell shtetit të Kosovës integrimet evropian dhe e bën Kosovën evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndwrkohw duke komentuar marrëveshjen e arritur mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për përfaqësimin rajonal, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, përgëzoi sot negociatorët për qasjen e tyre të durueshme dhe konstruktive.

“Unë e përshëndes marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe i përgëzoj negociatorët për qasjen e tyre të durueshme dhe konstruktive”, tha ai.

“Ky rezultat është shumë i rëndësishëm për lëvizjen domethënëse të të dy vendeve drejt integrimit në BE. Unë e përgëzoj Qeverinë e  Kosovës për përkushtimin e treguar për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat do të çojnë përpara synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe për të siguruar përfaqësim të pavarur të institucioneve të Kosovës në forumet dhe organizatat rajonale dhe në ato të BE-së” , theksoi Feith në një deklaratë pak më parë.

Ai inkurajoi të dy palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura sa më parë që të jetë e mundur. (LajmeShqip.com)