Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 15:26

PRISHTINE – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, do të takohen sërish të martën në Bruksel, ndërsa në rend të ditës do të jetë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Kryeministri i Serbisë, Daçiç, e ka konfirmuar për mediat serbe pjesëmarrjen e tij në raundin e ri të bisedimeve.

“Në interes të Serbisë është vazhdimi i dialogut. Nuk jemi në situatë të zgjedhim me kë do të bisedojmë”,- ka thënë ai, duke iu referuar zërave në Serbi se pas vendimit më të fundit të Tribunalit të Hagës, do t’i duhet të takohet edhe me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, drejtori i zyrës për bashkëpunim mediat në Qeverinë e Serbisë, Milivoje Mihajlovic ka thënë se Daçiç ka propozuar që dogana të mos paguhet, siç ka thënë ai, në vendkalimet administrative.

“Presim që edhe për këtë të bëhet fjalë në raundin e ri të bisedimeve. Nëse diçka thjeshtë do të paguhet, ekziston mundësia që një pjesë e parave nga Bërnjaku dhe Jarinja t’u adresohet komunave në veri të Kosovës”, ka thënë ai.(LajmeShqip.com)