Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 12:37

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë të premten se shkelja e Kushtetutës së Kosovës me rastin e zgjedhjes së presidentit në seancën e 22 shkurtit ka ardhur nga opozita, e cila nëse do të vazhdojë sërish me bojkot, rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk i meritojnë qytetarët e Kosovës, por nuk i presin as Uashingtoni dhe Brukseli.

Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me përfaqësuesin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafa, me ç’rast ka bërë të ditur se seanca në të cilën do të bëhet zgjedhja e presidentit do të mbahet shumë shpejt.

Ai ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës në një mbledhjen që ka mbajtur të enjten në mbrëmje i ka drejtuar një referencë Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilës ka kërkuar nga kjo gjykatë interpretim shtesë të nenit 86, përkatësisht sa i përket asaj se a përbënë shkelje të Kushtetutës bojkoti nga ana e opozitës.

Ai ka rikujtuar sjelljen e Partisë Demokratike si parti opozitare që nga viti 2001, kur në të gjitha rastet ka participuar në zgjedhjen e presidentit të vendit, përderisa për opozitën e tanishme, ai ka thënë se me mënyrën e bojkotit, do t’i dështojë reformat demokratike të Kosovës, do ta dështojë dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, do ta rrezikojë shtyrjen e agjendës euro-atlantike dhe investimet kapitale, e po ashtu do ta rrezikojë edhe buxhetin e Kosovës, për shkak se nuk ka kush ta nënshkruajë.

I pyetur për mundësinë e një presidenti konsensual, ngase Pacolli nuk është i pranueshëm prej opozitës, Thaçi ka theksuar se partnerët e koalicionit gjithmonë i kanë propozuar kandidatët e tyre qoftë për president, apo për kryeministër dhe në këtë rast ai ka rikujtuar se Kosova ka pasur edhe kryeministër me 7 për qind të votave. Por, nuk ka dashur të komentojë as për deklaratën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se është më mirë të gjendet një president konsensual.

Thaçi ka ftuar opozitën që të dalë mbi interesat e ngushta partiake apo individuale që mos ta lërë të ngrirë postin e presidentit, për të cilin ka thënë se nuk mund ta mbajë askush dhe se do të gjendet hapësirë legale që presidenti të zgjidhet shumë shpejt dhe në këtë drejtim ai ka thënë se kjo çështje do të procedohet të premten.

Vetë Jakup Krasniqi kishte votuar kundër kandidaturës së Behgjet Pacollit për president, bashkë me Fatmir Limajn dhe disa deputetë të tjerë të PDK-së, mirëpo kryeministri Thaçi është i bindur se edhe Grupi Parlamentar i PDK-së, por edhe koalicioni qeverisës është unik dhe është duke funksionuar shumë mirë.