Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 08:06

Prishtinë – Kreu i ekzekutivit të Kosovës Hashim Thaçi dhe sekretari i përgjitshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen, janë pajtuar se duhet vendosmëri dhe angazhim për të shmangur incidentet ndëretnike në veri të Kosovës.

Kështu bëhet e ditur nga një komunikatë për media e Qeverisë së Kosovës, në të cilën thuhet se kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

“Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kryeministri Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti qeveritar.

Kryeministri i Kosovës e ka informuar sekretarin Rasmusen se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.”Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës, thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës. (LajmeShqip.com)