Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 18:44

PRISHTINË –  Ministri i Jashtëm, Carl Bildt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë. Për më tepër, ministri Bildt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion, bëhet e ditur nga Kryeministria kosovare.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit me ministrin e Jashtëm suedez e falënderoi për mbështetjen personale për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu edhe për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

“Pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova është edhe më shumë e përkushtuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në BE. Jemi duke pritur rekomandim pozitiv të Raportit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim, si dhe vlerësim pozitiv për përmbushje të kritereve që dalin nga udhëzuesi për liberalizim të vizave”, theksoi kryeministri Thaçi në takim.    

“Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë premtimet ndaj Kosovës, përfshirë këtu hapjen e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim. Integrimi i balancuar i rajonit në BE, bazuar në merita, progres në reforma dhe ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore është kyç për të ardhmen e rajonit”, tha kryeministri Thaçi.(LajmeShqip.com)