Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 13:25

Tetovë –  “Nuk është punë e madhe të fitojmë njëri-tjetrin, por problemi më i madh është kush do të mund t’i rezistojë Gruevskit dhe Cërvenkovskit.

Ka qenë ky komenti i liderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi, para banorëve të fshatit Debresh në Gostivar. “Nuk është problem i madh te ne shqiptarët, kush kë do e mund. Atyre që kanë dëshirë shumë të fitojnë te shqiptarët, por unë vetëm do t’i përkujtoj se duhet me e mundur Gruevskin dhe Cërvenkovskin. Atje kush do të rezistojë më shumë, atje cila parti i ka kapacitet më të forta dhe cila ka treguar qëndrueshmëri më të madhe. Ajo parti që ka treguar rezistencë më të madhe shanset i ka më të mëdha që t’u rezistojë politikanëve dhe partive maqedonase”, ka thënë Thaçi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së banorëve të rrethinës së Gostivarit, nëse ka fuqi PDSH-së që ta ndalë hovin e projekteve antishqiptare të VMRO-DPMNE-së, Thaçi, ka shtuar se Gruevski nuk është aq i fuqishëm sa është i dobët faktori shqiptarë në pushtet.

“Është krijuar edhe një bindje e tillë, ndoshta këta e kanë krijuar se maqedonasit janë shumë të fortë, Gruevski është shumë i fortë, nuk lëshon pe. E vërteta është se këto janë të dobët jo se ata janë shumë të vërtetë. Ka dhe të drejtë që na mashtrojnë ose nuk dinë, thuan ne të hyjmë në NATO pastaj do të zgjidhet problemi jonë. Jo, jo, NATO ka shumë probleme më të mëdha se problemi jonë”, ka thënë Menduh Thaçi.

I parti i PDSH-së Thaçi është pritur edhe në Reçicë të Madhe të Tetovës, ku në të dy fshatrat, ai kërkoi nga banorët që t’i lënë anash inatet politike dhe të mos përçahen për bindje partiake.

Sipas tij, PDSH kërkon mbështetjen e popullit për realizimin e platformës politike, e jo për interesa personale ose grupore, andaj dhe siç pohoi, “jemi kundër përçarjes dhe ndasive që mundohen ta imponojnë të tjerët”.