Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 09:27

Prishtinë – “Beogradi nuk mundet që me një këmbë të jetë në Bruksel, e me një në Mitrovicë”, tha dje kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit në Komitetin Ushtarak të NATO-s, që është mbajtur në Prishtinë.

Në prani të anëtarëve të këtij komiteti dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Byhler, kryeministri Thaçi shprehu vlerësimet më të larta për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Burimet zyrtare nga qeveria kosovare bëjnë të ditur se, kryeministri Thaçi ritheksoi se “Kosova është e përkushtuar që të jetë faktor i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë në rajon”.

Thaçi prezantoi qëndrimet e Kosovës për gjendjen në veriun e Kosovës, raportet me KFOR-in, procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, kryeministri Thaçi rikujtoi se situata në veri është rezultat i tolerimit 12 vjeçar të krimit dhe kontrabandës në atë pjesë të territorit të Kosovës. “Ajo pjesë e territorit të Kosovës është vrima e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës. Prej 12 vitesh, në atë pjesë të territorit të Kosovës nuk organizohen zgjedhje të lira dhe ajo është kapur nga strukturat ilegale dhe kriminale të cilat e shfrytëzojnë mungesën e ligjshmërisë për aktivitete kriminale”, tha Thaçi.

Sipas tij, “në veri nuk ka përplasje mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, por mes qeverisë dhe disa strukturave kriminale, që po sfidojnë jo vetëm qeverinë, por edhe KFOR-in, EULEX-in, Kushtetutën e Kosovës dhe rezolutën 1244”.

Thaçi tha se, qytetarët serbë në veri janë ata që po pësojnë më së shumti nga kjo situatë dhe se vetëm një grusht njerëzish atje duan që kjo situatë të zgjatë. “Serbët në veri, meritojnë të jetojnë sikurse edhe serbët në jug të Kosovës, të kenë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, komunat funksionale, dhe të përfitojnë nga shërbimet e institucioneve të Kosovës. Ata qytetarë të Kosovës vazhdimisht jetojnë nën presionin e këtyre strukturave, ndërkohë që Beogradi vazhdimisht i ushqen me të pavërteta”, tha kryeministri Thaçi.