Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 20:54

Prishtinë – Kosova ka destinacion të vetëm Bashkimin Evropian, u shpreh   kryeministri Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, zhvilluar diten e sotme.

“Procesi i integrimit evropian është dinamikë e brendshme e ndërtimit të vlerave dhe perspektives evropiane në Kosovë, i cili nuk ka alternativë tjetër”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se “Komisioni Evropian, në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit për vitin 2012, do të mbështesë procesin integrues të Kosovës me 70 milionë euro, ndërsa me 203 milionë euro periudhën 2011- 2013”.

Në takimin e shtatë të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian u diskutua progresi në përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe standardeve evropiane. Veçanerisht u diskutua procesi dhe ecuria e përgatitjes së projektligjeve prioritare të përcaktuara me axhendën evropiane për Kosovën dhe të theksuara në letrën e Komisionarit Stefan Füle, si dhe progresi lidhur me përmbushjen e kritereve në fushën e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjes tregtare me BE.