Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 19:37

Prishtinë-Kosova dialogun me Serbinë, përfshirë bashkëpunimin rajonal, e ka në axhendë sot dhe në të ardhmen vetëm si dy shtete të pavarura dhe sovrane, është qëndrimi i qeverisë kosovare.

Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë tha se “në procesin e dialogut, Republika e Kosovës, qeveria e Kosovës, do të jetë korrekte, e përgjegjëshme, kreative, me përgjegjësitë më të larta për implementimine konkluzioneve të arritura në Bruksel mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe  qeverisë së Serbisë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, gjithmonë  me implementimin sipas standardeve dhe parimeve evropiane”.

“Ne e mbështesim edhe sot këtë proces  jashtëzakonisht të rënësishëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, pra mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe gjithë axhenda edhe sot edhe në të ardhmen do të vazhdohet vetëm si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dhe, në kuadër të kësaj hyn edhe çështja e diskutueshme ditëve të fundit sa i përket bashkëpunimit rajonal, qëndrimi i Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i qartë, vetëm si dy shtete të pavarura”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel, Robert Cooper, është takuar dje pasdite në Prishtinë me udhëheqësen kosovare të dialogut, zv/kryeministren Edita Tahiri, ku është diskutuar çështja e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimi i marrëveshjeve.

Pas takimit, Tahiri tha se për sa i takon bashkëpunimit rajonal qëndrimet janë shumë larg mes palëve, ndërsa siguroi për qëndrimin e Prishtinës që Kosova të përfaqësohet si shtet, sikur edhe Serbia.