Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 12:59

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka akuzuar se nuk po përfill festat kombëtare, duke thënë se festat kombëtare janë mbi çdo ideologji politike dhe askush nuk duhet të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin dhe festën kombëtare.

Ai këto komente i bëri të dielën, duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me akuzat e Vetëvendosjes në adresë të Qeverisë se nuk është duke përfillur festën e 28 Nëntorit-Ditën e Flamurit Kombëtar.

“Festa e flamurit dhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë, është mbi çdo parti politike, mbi çdo profil politik, mbi çdo ideologji dhe mendoj se për festën kombëtare dhe i ftoj të gjithë të ofrohen me njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë rrethanë askush mos të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin kombëtar dhe festën kombëtare”, ka thënë Thaçi. 

Lëvizja Vetëvendosje kritikoi Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre ka anashkaluar festën e 28 Nëntorit, duke e llogaritur atë si festë e njërit prej komuniteteve të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, festa kombëtare e 28 Nëntorit Dita e Flamurit, nuk konsiderohet si festë zyrtare e Republikës së Kosovës, por vetëm si festë e komunitetit shqiptar të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Prekazi është frymëzim për vazhdimin e angazhimeve shtesë shtetërore për implementimin e vizionit për të ardhmen e Kosovës, për t’u integruar në strukturat euroatlantike dhe zhvillimin e mëtejmë të vendit.

Ai këto komente i bëri të dielën pas homazheve të bëra në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, të cilin e vizitoi në prag të festës së shumëfishtë të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit Kombëtar, datëlindjes së komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, daljes për herë të parë publike të UÇK-së.

“Dashuria për atdhe duhet të kultivohet gjithmonë dhe kurrë nuk është e mjaftueshme, prandaj ky nderim shtetëror sot është nderim për të kaluarën, për familjen Jashari, për gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës, për komandantin legjendar Adem Jashari, për gjithë dëshmorët e lirisë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri”, ka thënë Thaçi.

Ai ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e kësaj feste të rëndësishme, duke thënë se pa luftë nuk do të arrihej liria dhe se pa liri nuk do të ishte ky zhvillim i tanishëm në Kosovë. Kjo vizitë u bë të djelën pasi nesër kryeministri Thaçi pritet të udhëtojë për një vizitë në Norvegji