Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 17:31

Prishtinë – Nuk do të ketë ndarje as de fakto, as de jure të Kosovës, e as status special apo të veçantë brenda Republikës së Kosovës, tha kryeministri Hashim Thaçi sot pasdite në mbledhjen e qeverisë.

“Qëndrimi i Republikës së Kosovës është edhe vullnet i popullit të Kosovës dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nuk do të ketë ndarje as de fakto, as de jure të Kosovës. Nuk do të ketë status special apo të veçantë brenda Republikës së Kosovës”, theksoi ai.  Prandaj, shtoi kryeministri  Thaçi, “debatet në këtë temë janë të kota, madje tema krejt të panevojshme dhe të dëmshme për përpjekjet tona për të normalizuar gjendjen në veri”.

Duke vlerësuar vizitën e zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, kryeministri Thaçi ka theksuar se takimi i zhvilluar sot me të ka qenë informues, ku janë shkëmbyer ide për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, por edhe për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës.

“Në takim kam prezantuar qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për veriun e Kosovës, për raportet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it dhe raportet me EULEX-in”, ka thënë kryeministri Thaçi.

“Ne do të vazhdojmë me axhendën tonë për krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës dhe në kuadër të kësaj si Qeveri e Republikës së Kosovës edhe njëherë falënderojmë dhe shprehim mbështetjen më të madhe KFOR-in dhe ne duam një EULEX të suksesshëm, sepse ata janë të ftuar prej organeve legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Suksesi i EULEX-it nuk varet vetëm nga deklaratat tona, por bashkëpunimi në gjithë territorin e Kosovës dhe do të punojmë me gjithë mekanizmat qeveritarë që edhe EULEX të shtrijë autoritetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Ai tha më tej se “në axhendën evropiane të Kosovës, do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht me Brukselin, në mënyrë që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuare me Bashkimin Evropian, të ketë axhendën më të qartë nga Brukseli për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe të marrëdhënieve tregtare”.

“Ne do t’i kryejmë obligimet tona të brendshme që të arrijmë standardet dhe vlerat në ndërtimin e Kosovës si shtet të mundësive të mëdha, demokratike dhe multietnike”, ka thënë kryeministri Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar.