Lajme Shqip Wednesday, 29 August 2012 18:26

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi akuzon LDK-në për bllokadën. Edhe pse nuk i është referuar drejtpërdrejt veprimeve të fundit të kësaj partie, ai ka thënë se demokracisë i duhet participimi, e jo bllokimi.

Deklarata e kryeministrit është plotësuar më pas nga zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, sipas të cilit partitë dhe kuvendi duhet t’i zgjidhin mospajtimet, por reforma zgjedhore i duhet vendit.Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas veprimeve të LDK-së për t’u larguar nga procesi i reformës zgjedhore.

Edhe pse nuk i është referuar drejtpërdrejt partisë së Isa Mustafës, në mbledhjen e qeverisë ai ka thënë se vendit dhe demokracisë nuk i duhet bllokimi, por participimi.

Kjo deklaratë është plotësuar më pas nga zëvendësi i tij, Hajrdin Kuçi, i cili ka shfaqur shpresën se mosmarrëveshjet mund të zgjidhen mes partive dhe në Kuvendin e Kosovës.

Më pas, Kuçi ka folur edhe për dialogun e paralajmëruar me Serbinë, duke thënë se Qeveria është në punë e sipër për t’i gjetur partnerët legjitimë në veri me të cilët do të dialogohet.

Duke komentuar veprimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të kryeministrit Thaçi, Kuçi e ka quajtur huqje aksionin, pasi sipas tij, ka kohë që kryeministri nuk ka numër telefoni.

Në mbledhjen e qeverisë ka kaluar në parim, pas një debati mes ministrave, projektligji për kontrollin e duhanit, pastaj projektligji për pyjet, për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe disa propozim-vendime.

Përfshirë edhe kërkesën për PTK-së që t’i paguajë qeverisë si aksionar dividentën prej 10 milionë eurosh.(LajmeShqip.com)