Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:09

Tetovë – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi ka kërkuar që përfundimisht t’i jepet fund politikës aktuale antishqiptare dhe të mbështet platforma politike e PDSH-së. Këtë ai e kërkoi para më shumë se dhjetë mijë simpatizantë dhe përkrahësve të saj, ku kjo parti mbajti Konventën zgjedhore të enjten mbrëma, ku ka prezantuar emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e pesë qershorit.

Kapacitetet e sallës së shkollës mjekësore në Tetovë, madje kanë qenë të pamjaftueshme për numrin e lartë të simpatizantëve, përkrahësve dhe anëtarëve të PDSH-së, që kishin ardhur për të përcjell nga afër prezantimin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Një numër i lartë i përkrahësve të PDSH-së madje mbeten që ngjarjen ta ndiqnin përmes video-bimit të vendosur jashtë sallës. PDSH do të garojë në pesë, nga gjithsej gjashtë njësitë zgjedhore, edhe atë: në njësinë zgjedhore numër një, do të përfaqësohet në krye të listës nga Bekim Fazliu, pas të cilit radhiten Azam Sadiku dhe Hava Ademi. Në njësinë e dytë zgjedhore, kjo parti do të ketë për adut Orhan Ramadanin, i cili do të ndiqet nga Eset Rama dhe Vlera Ejupi. Në njësinë e tretë zgjedhore, listën e deputetëve për këtë parti do ta kryesojë Iljaz Memeti. Në pesëshin, listës së PDSH-së do t’i prijë Zijadin Sela, i pasuar nga Bekim Qoku dhe Sebahate Ajroska. Në njësinë e gjashtë zgjedhore, betejën politike do ta zhvillojë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, i shoqëruar nga Arbën Xhaferi, Merale Ferati, Imer Aliu, Gazmend Aliu, Sadija Iljazi, Arifhiket Xhemail, Sheval Memishi, Laura Beqiri dhe Agron Zeqiri. Kandidati i PDSH-së për deputet në njësinë zgjedhore numër 7, e cila përfshin kontinentin e Evropës, do të jetë mërgimtari Xhemal Dauti, i cili jeton në Zvicër.