Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 18:38

Tetovë – Papunësia e lartë, arsimimi jo cilësor, diskriminimi i përditshëm dhe shumë halle të shqiptarëve e bënë që ne të organizohemi në një korpus të mirëfilltë siç është RDSH-ja.

Kjo është thënë nga ana e kryetarit të RDSH-së, Krenar Lloga me rastin e një tubimi të mbajtur dhe riformatimit të këtij organizmi të rinisë së PDSH-së.

”Liberalizimi i vizave ishte një sihariq për gjithë Ballkanin. Por teksa për bashkëmoshatarët tonë ishte një mundësi e mirë për të vizituar vendet e europës, për shqiptarët e Maqedonisë ishte një dënim apo një zgjidhje për ti shpërngulur prej këtyre trojeve. Andaj ne, jemi mbledhur këtu për t’i dhënë energji kësaj force politike, këtij forumi rinor që ti themi mjaftë më këtij diskriminimi. Kjo rini është e tanishmja dhe e ardhmja e këtij kombi. Kjo konferencë do të dërgojë një mesazh të fuqishëm për gjithë shqiptarët, për gjith miqt e shqiptarëve por edhe një mesazh më të fuqishëm për gjithë armiqtë tonë”, ka thënë Lloga. Në këtë takim ka folur edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi i cili ka theksuar se rruga e PDSH-së është e drejtë dhe me mbarësi.

”Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni, është e keqe, padyshim se këto 3 vitet e fundit situata u keqësua tej mase. U varfëruan shqiptarët me të vetmin qëllim, t’i shpërngulin prej territoreve dhe tokave të veta. Po sillen maqedonasit sikur nuk ka zot shpije të shqiptarëve këtu, unë ju përkujtoj atyre se më 5 Qershor ata do të ballafaqohen me zot shpije dhe do të jenë të detyruar ta pranojnë platformën e re të Partisë Demokratike Shqiptare, janë dy gjëra shumë të thjeshta që kërkon PDSH-ja. Nuk ka më vetëm ata të kolliten këtu, po të duan le të kolliten bashkë me ne ose do të rrezikojnë të humbin gjithçka. Nuk ka më të na shfrytëzojnë dhe eksploatojnë në shekullin 21 si në shekujt e mesjetës duke marrë tatime prej nesh dhe prej atyre tatimeve duke na kthyer 1 apo2 për qind”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, në konferencën e RDSH-së u zgjodh përbërja e re: Jeton Rakipi-nënkryetar, Enisa Bajrami-nënkryetare, Adrian Demiri-nënkryetar, Besim Jakupi-nënkryetar, Arijanit Sallahi-sekretar gjeneral, etj.