Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 20:02

Tetovë – Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm Metin Izeti kanë vizituar fshatrat e rrethinës së Tetovës, Nerasht, Përshevc dhe Çellopek. Sipas kreut të PDSH-së Thaçi gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë këto tre vitet e fundit është keqësuar tej mase. “Ne dhe nuk duhet të lejojmë që kjo situatë të kalojë në dëshpërim. Pikënisja e zgjidhjes serioze e të problemeve tona ekonomike është marrja e 35 për qind buxhetit shtetëror dhe krijimi i kushteve për zhvillim të biznesit. Koncentrimi vetëm në punësim të administratorëve shtetërorë nuk është zgjidhje, edhe pak vende kanë ngelur aty. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdimisht kërkojnë të ulet numri i administratorëve. Një ditë do të digjitalizohet edhe administrata, çka bëjmë pastaj ne shqiptarët. Rruga e vetme e zgjidhjes së këtyre problemeve dhe kësaj situate të rëndë është Platforma politike e PDSH-së, që me theks të veçantë ka procesin e vendimmarrjes, ndarjen proporcionale të buxhetit dhe zhbllokimin e proceseve integruese”, ka thënë Thaçi. “Ne jemi të vendosur njëherë që me maqedonasit kur të ulemi të bisedojmë që nga fillimi ti ndajmë llogaritë. Pa prezencë të shqiptarëve të mos mund të vendoset asgjë, nëse do të jetë ministri maqedonas atëherë zëvendësi të jetë shqiptarë, nëse kryeministri do jetë maqedonas atëherë do të ketë vetëm një zv/kryeministër dhe jo 4 si deri më tash. Është me rëndësi që vendimet e tyre të merren me nënshkrime të lidhura, pra shqiptarët të vendosin vet për interesat apo prioritetet e veta. Kësaj i themi demokraci konsensuale”, ka thënë nga ana tjetër, Metin Izeti, sekretar i përgjithshëm I PDSH-së.