Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 15:10

Tetovë – Në selinë e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) në Tetovë, Lëvizja “Zgjohu”, ka realizuar takim me kryetarin e PPD-së Sefedin Haruni.

Kreu i “Zgjohu-“t, Artan Grubi ka shprehur kënaqësinë për takimin në selinë e partisë së parë politike shqiptare në sistemin pluralist në Maqedoni dhe ka përgëzuar Harunin dhe bashkëpunëtorët e tij, për përkushtimin e tyre në vazhdimësinë e frymës së PPD-së.

Grubi ka informuar Harunin rreth nismës “Koha për Bashkim” dhe qëllimit të aktivistëve të shoqërisë civile për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 5 qershorit nëpërmjet bashkëpunimit me partitë politike shqiptare.

Nga ana tjetër, kreu i Prosperitetit Haruni ka informuar që ai është ithtar i bashkëveprimit dhe që një iniciativë të ngjashme PPD-ja, “kishte ndërmarrë para disa viteve dhe njoftoi rreth takimeve të një grupi përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe propozimeve të tyre që të gjitha partitë të dalin me një listë të përbashkët”.

“Në parim, PPD dëshiron garë midis ideve dhe koncepteve dhe insiston që qytetari të lejohet të zgjedh konceptin në të cilin beson. PPD është e vendosur të del e vetme në zgjedhje, por njëkohësisht ofron bashkëpunim nismës ‘Koha për Bashkim’”, ka thënë Haruni.

Ndërkohë, Grubi nga “Zgjohu” ka thënë para të pranishmëve që të gjithë faktorët politik dhe civil shqiptar kanë qëllime të përafërta andaj dhe bashkëpunimi duhet të jetë i pashmangshëm.

“Ky bashkëpunim duhet  të na sjell mandat të fuqishëm pas 5 qershorit, mandat që do të na mundësojë realizimin e pikave të përbashkëta dhe do të ndalojë diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve. Politika përjashtuese nuk duhet të aplikohet nga shqiptarët, në veçanti në përpjekjet për të siguruar mandat të fuqishëm, i cili sipas mundësive duhet të përforcohet edhe me votat e komuniteteve jo shumicë pas zgjedhjeve. Këto komunitete tradicionalisht përkrahin partinë më të madhe maqedonase me votat e tyre në Parlament, ndërsa hisen e tyre dhe të drejtat e tyre i realizojnë nëpërmjet shqiptarëve dhe Marrëveshjes së Ohrit. Andaj, shqiptarët duhet të përafrojnë këto komunitete bashkë me votat e tyre në mënyrë që mandati jonë të bëhet sa më i fuqishëm”, ka thënë kryetari i “Zgjohu”-t, Artan Grubi.

Ndryshe, Haruni dhe Grubi në parim u pajtuan që politika shqiptare ka nevojë imediate për cilësi dhe që shqiptarët duhet të bashkëpunojnë për të arritur shtetformësinë në Maqedoni. Grubi ka thënë, madje se nisma e tij, po instalon vlerën e dialogut dhe konsultimeve me të gjitha palët si dhe mbajtjen e derës së hapur për bashkëpunim.