Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 15:59

Tetovë – Illyricum Libertas, përmes një deklarate me shkrim, bën të ditur se është pranë dhe bashkë me shqiptarët tanë në Qafë-Botë, vendin që simbolizon ndarjen e dhimbshme të kombit tonë dhe mbetjen e një pjese të territorit dhe kombit nën sundimin e huaj.

“Vërejmë me keqardhje të plotë, që apeli popullor drejtuar parlamenteve respektive të Maqedonisë dhe Kosovës për miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin grek, nuk u bë realitet as nw këtë vit. Kërkojmë nga këto dy organe përfaqësuese që të miratojnë rezolutën në fjalë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.

Illyricum Libertas kërkon nga qeveria greke që në kuadër të respektimit të konventave ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është vetë ajo, të lejojë qytetarët shqiptarë me origjinë nga krahina e Çamërisë të vizitojnë varret dhe pronat e të parëve të tyre dhe të ndalë praktikën antidemokratike të moslejimit të kalimit të kufirit grek për këtë kategori të qytetarëve shqiptarë.

“Përkrahim plotësisht dhe pa rezerva përpjekjet e faktorëve politikë dhe civilë në Shqipëri që zgjidhjen e çështjes çame e kanë në krye të agjendës së tyre. Apelojmë që kauza e shqiptarëve të Çamërisë dhe territorit të kësaj krahine të mos reduktohet në çështje pronash, por të fitojë dimensionin e duhur si problem i shkeljes së të drejtave individuale dhe kolektive të një popullsie të depërtuar padrejtësisht nga trojet e veta historike. Apelojmë tek faktorët ndërkombëtarë, para së gjithash tek miqtë dhe vëllezërit tanë europianë dhe amerikanë, që të ndërmjetësojnë në gjetjen e një zgjidhje të drejtë dhe humane për këtë çështje madhore në Ballkan dhe më gjerë”, thuhet në fund të deklaratës.