Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 11:46

Tetovë – Dy personalitetet shqiptare, Paskal Milo dhe Sabri Godo kanë shkëmbyer replika lidhur me rolin e Enver Hoxhës në përkrahjen ose jo të studentëve të vitit 1981, në ngjarjen që u mbajt në Qendrën e Kulturës në Tetovë, të shtunën në mbrëmje, në kuadër të Akademisë “30 pranvera frymëzim“.

Derisa Milo ka thënë se shteti shqiptar dhe Enver Hoxha kanë ndihmuar në çështjen e Kosovës, një gjë e tillë është kundërshtuar nga kolegu i tij Sabri Godo, i cili hodhi poshtë tezat e tij se Enveri ka ndihmuar çështjen e Kosovës.

“Enver Hoxha e ka shitur Kosovën në vitin 1945 dhe ndihma që ai mund të kishte dhënë në ‘81-shin është shumë e pavlefshme me dëmet që bëri ai në ‘45”, ka thënë Godo, duke krijuar pakënaqësi te Milo, i cili doli sërish në foltore për të thënë se kjo ishtë një Akademi përkujtimore dhe jo tryezë shkencore.

Alfred Moisiu, ish-president i Shqipërisë, i cili edhe e shpalli të hapur këtë akademi, ka folur për sakrificën e popullit shqiptar në të gjithë trojet etnike, sakrificë e cila, siç ka thënë ai, ka dhënë frytet e saj.

Në mesin e pjesëmarrësve të Akademisë ishte edhe djali i Adem Jasharit, Lulzim Jashari, i cili përkujtoi se sakrifica e familjes së tij ishte pjesë e një sakrifice mbarëshqiptare.

Përpjekjet e studentëve dhe të luftarëve shqiptarë të ilegales për çështjen shqiptare ishin në fokusin e fjalimit të Hydajet Hysenit, njërit ndër studentët e ‘81-shit dhe veprimtar i çështjes shqiptare.

Ndërkaq, Shpëtim Pollozhani, kryetar i ish-të burgosurve politikë në Maqedoni, mes tjerash është shrehur se shumë të burgosur politikë dhe luftëtarë  shqiptare janë ende pa status të zgjidhur.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Organizativ të Manifestimit “30 pranvera frymëzim”, Xhevat Ademi, duke përkujtuar me këtë rast të rënët dhe studentët e vitit 1981, tha se “ai brez studentësh, doli ballë për ballë diktaturës dhe makinerisë shtypëse të ish-Jugosllavisë për liri të drejta dhe shtet të pavarur të Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në përgjithësi, të cilët për 30 vjet u angazhuan për çështjen shqiptare dhe, veçanërisht, për të madhëruar heroizmin dhe dashurinë për liri të studentëve të vitit 1981”.

Për Bajram Kosumin, lëvizja shqiptare ka një gjysmë shekulli prej Hasan Prishtinës dhe Ademi Demaçit.

Ndryshe, në këtë Akademi në mënyrë të veçant është vlerësuar ideatori dhe frymëzuesi i Demonstratave të ‘81-shit, Rafi Halili. (Lajmeshqip.com)