Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 07:30

Tiranë-Në mbyllje të vizitës së tij njëditore në Maqedoni, Kryeministri Sali Berisha vizitoi Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku u prit nga rektori  Zamir Dika, nga drejtori i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Veton Latifi, si dhe drejtues të tjerë të këtij universiteti.

Në një ceremoni të veçantë, Kryeministrit Berisha iu dha Çmimi Tradicional për Lidership, nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim. Në emër të këtij Instituti, zoti Veton Latifi i dorëzoi Kryeministrit Berisha çmimin me motivacionin “Për Lidership të suksesshëm në promovimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri, për udhëheqjen e reformave demokratike dhe sukseset në integrimin euroatlantik të vendit, si dhe rolin e Tij në rajonin e Ballkanit”.

Në fjalën e tij, shefi i qeverisë shqiptare vlerësoi këtë Universite, i cili së bashku me universitetin shtetëror kanë shndërruar Tetovën, në një hark të shkurtër kohor, në një nga epiqendrat kryesore universitare të kombit shqiptar.

Universiteti juaj me dhjetëmijë studentë është një ogur i bardhë, një tempull i vërtetë i zhvillimit të shqiptarëve, por edhe të shoqërisë maqedonase në tërësi”, theksoi Kryeministri. 

Më tej, Berisha garantoi studentët se “do të bëj gjithçka që ju të zgjeroni dhe intensifikon bashkëpunimin me të gjitha universitetet e Shqipërisë. Në interesin më të mirë të bëjmë gjithçka që së bashku, në Tetovë, në Prishtinë dhe kudo ku janë universitetet shqiptare, të rrisim cilësinë”.   

Ai shtoi se asgjë nuk ka më të rëndësishme se investimi në mendjen e ndritur, në ekselencën e kombit tënd. 

Duke përmëndur edhe takimet që zhvilloi në Shkup me Kryeministrin Gruevski, Presidentin e vendit dhe Kryetarin e Parlamentit, Betisha bëri t ditur se kemi rënë dakord për të bërë përpjekjet më serioze që të shumëfishojmë lidhjet e gjithanshme midis dy vendeve tona.
    

“Kjo në mënyrë që energjia, potencialet e qytetarëve të dy vendeve tona, resurset e tyre të pafundme natyrore të shndërrohen në vlera për qytetarët dhe shoqëritë e vendeve tona”, përfundoi kreu i ekzekutivit.