Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 13:55

Shkup – Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të martën mbrëma ka vendosur për kandidaturat e ministrave në Qeverinë e re, me VMRO-DPMNE.

Sipas burimeve brenda partisë së Ahmetit, me euro-integrimet do të udhëheqë Teuta Arifi, me Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, me ministrinë Ekologjisë Abdilaqim Ademi, me Ministrinë e Pushtetit Lokal Nevzat Bejta dhe Ministrinë e drejtësisë, kryetari aktual i komunës Sarajit, Blerim Bexheti.
Emri i ministrit të Ekonomisë, do të dihet pas takimit të sotëm të Kryesisë qendrore të partisë, ndërsa seancë më pas pritet të mbajë edhe Këshilli i përgjithshëm i BDI-së, i cili duhet të verifikojë kandidaturat e ministrave të rinj të kësaj partie.

Gjithashtu, krerët e kësaj partie janë informuar dhe kanë miratuar marrëveshjen që lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti ka arritur me mandatarin për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski. Ashtu që, deri në fund të javës, mandatari Gruevski do të dorëzojë përbërjen e re qeveritare deri te Parlamenti. Nga eshalonët tjera, BDI do të udhëheq me Fondin për rrugë, Policinë Pyjore dhe drejtor të dytë në Sigurimin shëndetësor, derisa postet e drejtorëve në MPB, DHP dhe Doganë, mbeten në DPMNE. Por siç ka bërë të ditur “Lajmeshqip.com”, një ditë më parë  nuk ka kaluar kërkesa e BDI- për pensione të luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa rreth rasteve të Hagës sipas rekomandimeve të Gjykatës së Hagës dhe ndërkombëtarëve, janë marrë vesh për autenticitetin e tyre. Gjuha nuk do të jetë si e dytë, zyrtare, sikur ka kërkuar BDI. Kryesuesi i Parlamentit nuk do të mund të flasë në gjuhën shqipe, ministrat shqiptarë do të mund të përgjigjen në gjuhën e tyre, nëse deputetët u drejtohen në gjuhën shqipe.

Nuk ka kaluar as kërkesa e BDI-së, që gjykatësit, në komunikimin zyrtar, të shfrytëzojnë gjuhën shqipe. Madje, BDI ka lëshuar pe edhe në parimin e Badenterit në gjykata. Partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje për precizimin e ligjit për përdorimin e flamujve, sipas vendimit të Gjykatës kushtetuese.