Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 17:46

Tetovë – Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në mbledhjen e të shtunës të kryesisë së partisë në Reçicë të Tetovës ka zgjedhur shtabin zgjedhor, i cili do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryetar i shtabit Qendror Zgjedhor është emëruar Abdilaqim Ademi, njëherësh sekretar i përgjithshëm i BDI-së dhe zëvendëskryeministër. Kryesia e BDI-së ka shqyrtuar edhe disa çështje rreth organizimit dhe përpilimit të shpejt të platformës zgjedhore partiake për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Kryesia e ka diskutuar për situatën politike në vend, veçanërisht pas tërheqjes së kërkesave nga ana e partisë opozitare maqedonase, Lidhjes social demokrate të Maqedonisë (LSDM). Kryesia Qendrore unanimisht solli vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 5 qershor, 2011”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Lideri integrist Ahmeti në këtë takim ka konfirmuar mundësinë për koalicionime të reja me partitë më të vogla, por duke paralajmëruar publikimin e marrëveshjeve konkrete gjatë javëve të ardhshme. Ndër pikat kyçe të programit të kësaj partie mbetet Marrëveshja e Ohrit, por BDI tanimë do të dal me afate precize rreth zbatimit të saj të shpejt në rast se kjo parti fiton sërish në zgjedhjet e ardhshme.

Madje, Ahmeti ka kërkuar emra eminent për përfshirjen në listat e deputetëve duke lënë për të kuptuar se shumica e deputetëve aktual të kësaj partie, “nuk do të rikandidohen dhe se ata do t`ia lëshojnë radhën kuadrove më aktive dhe figurave të reja brenda BDI-së”. Ditë më parë Demokracia e Re (DR), ka zgjedhur Arijanit Hoxhën për shef të Shtabit zgjedhor, derisa në pritje të kësaj përzgjedhje është PDSH e Thaçit që siç thonë, “presin të caktohen zyrtarisht data e zgjedhjeve”. Ndryshe, një hap i tillë është kryer edhe te partitë maqedonase, ashtu që VMRO për shef të Shtabit zgjedhor ka zgjedhur shefin e kabinetit të kryeministrit Martin Protuger, ndërsa LSDM-ja sekretarin e përgjithshëm të partisë Andrej Petrov.