Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 18:00

Tetovë – Duke u afruar zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, partitë politike shqiptare si dhe ato maqedonase janë në proces të përpilimit të listave me emrat e mundshëm për kandidatë deputetësh.

Edhe pse asnjëra parti nuk ka dalë me informata zyrtare, nga burime partiake mësojmë emrat e kandidatëve të mundshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që kryesia e kësaj partie në Reçicë kishte përpiluar listat përfundimtare zgjedhore, të mërkurën mbrëma.

Sipas gjitha gjasave bartës e listës në një njësinë zgjedhore 2 do të jetë deputetja Ermira Mehmeti- Devaja, ndërsa pas kësaj do të rreshtohen Rexhail Ismaili, Nazmi Beqiri, Artan Grubi.

Mësohet se partia e Ahmetit ka caktuar edhe kandidatët e tjerë në njësitë tjera zgjedhore. Kështu në njësinë e parë zgjedhore, bartës liste do të jetë kryetari aktual i Çairit dhe nënkryetar në BDI Izet Mexhiti, ndërsa pritet të pasojë nga Blerim Bexheti.

Ndërkohë, njësia zgjedhore 5 pritet të kryesohet nga Musa Xhaferi dhe Tahir Hani, Arvben Llabnishta, fatmir Limani, derisa njësia zgjedhore 6 nga kreu i saj Ali Ahmeti, pastaj Teuta Arifi, Abdylaqim Ademi, Adnan Jashari.

Kjo njësi zgjedhore pritet të jetë arenë e nxehtë e liderëve pasi aty pritet të garojnë edhe ai i PDSH-së Menduh Thaçi dhe i RDK-së Rufi Osmani.

Ndërkohë, sa i përket Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), në njësinë e dytë për bartës liste përmendet nënkryetarja Mirushe Hoxha, ndërsa në lojë është dhe Rexhail Dalipi. Me gjasë nga Demokracia e Re atje do të rikandidojnë deputetin Abedin Zymberi. Ndërkohë, nga radhët e Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), jo zyrtarisht përmendet ish-drejtori i Spitalit të Kumanovës Selver Jashari.

Lufta mes liderëve të partive shqiptarë do të zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore e cila përfshin rajonin e Pollogut. Nga PDSH-ja, pas Thaçit pritet të rreshtohen Azem Ismani, Metin Izeti, Merale Ferati, Imer Aliu, Luan Tresi, Sadi Bexheti dhe të tjerë. Ndërkaq mësojmë se DR-ja me gjasë që në njësinë e gjashtë të kandidojë deputetin aktual, Sulejman Rushiti.

Partia e Thaçit, madje në njëshin pritet të kandidojë nënkryetarin Valon Bela, ndërsa pas tij Bekim Fazliu, Azem Sadiku dhe të tjerë. Ndërkohë, burime nga PDSH, kanë bërë të ditur se në këtë njësi zgjedhore bartës liste sigurt do të jetë kryetari i degës, Zijadin Sela, ndërsa përmendet dhe biznesmeni Mendy Qyra.

RDK-ja me gjasë bartës do të ketë Artan Dikën i cili është koordinator aktual i RDK-së në Strugë. Por, sidoqoftë, pritet që së shpejti partitë të dalin me listën përfundimtare të deputetëve të cilët do të duhet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në më pak se dy muaj, gjegjësisht me 5 qershor 2011.