Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 15:42

Tetovë – Koordinatori i  Aleancës Kuq e Zi për Maqedoninë, Valon Kurtishi, përmes një komunikate për shtyp i ka bërë  thirrje shtetit shqiptar, kosovar dhe atij maqedonas që viti i ri shkollor 2011-2012 të  nis me një Abetare të unifikuar.

“Të  gjitha strukturat përkatëse të tregohen të përgjegjshme dhe t’u ofrojnë të gjithë fëmijëve shqiptarë kudo që ndodhen dhe arsimohen, të kenë të  njëjtin  standard dhe të njëjtën abetare.  Aleanca Kuq e Zi vëren se diferencat mes abetareve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni janë kthyer në një tragjikomedi duke krijuar kaos në shumëllojshmërinë e ndryshme të Abetareve në treg.  Të shqetësuar për asimilimin e shqiptarëve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, Aleanca Kuq e Zi  bën thirrje të mos tolerohet keq arsimimi i gjuhës amtare, të shpejtohet  unifikimi i tyre abetares dhe nëse është e nevojshme të shtyhet edhe viti i ri shkollor”, ka thënë Kurtishi.

“Aleanca Kuq e Zi u bën apel qeverive të tre vendeve Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për të ngritur një grup ekspertësh të përbashkët për të arritur sa më parë këtë unifikim. Aleanca Kuq e Zi i kërkon qeverisë Shqipërisë, qeverisë Kosovës dhe qeverisë së Maqedonisë që të investojnë dhe shpërndajnë në çdo familje shqiptare që kanë fëmijë brenda por edhe jashtë në emigracion Abetare falas pa pagesë”, ka shtuar Valon Kurtishi, nga Aleanca Kuq e Zi. (LajmeShqip.com)