Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 11:01

Tetovë – Shoqata “Illyricum Libertas”, ka reaguar të martën ndaj intervenimit të dhunshëm të Policisë së Kosovës kundër aktivistëve të “Vetëvendosjes”, në Prishtinë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar në lidhje me intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës kundër aktivistëve të “Vetëvendosjes” në Prishtinë, me aktin e paprecedent të dhunimit e arrestimit të një numri të madh të tyre si dhe moslëshimit nga burgu të Rron Gjinovcit dhe Durim Jasharit. Duke dënuar ashpër këtë aksion të panevojshëm të policisë kosovare, kërkojmë me ngulm lirimin e menjëhershëm nga burgu të veprimtarëve në fjalë. Vërejmë me keqardhje se kjo nuk është hera e parë që forcat policore të Kosovës, intervenojnë dhunshëm duke lënduar demonstrues paqësorë, kurse gjyqësori kosovar mban aktivistë në paraburgim, në kundërshtim me rregullativën ligjore në fuqi, si dhe në shkelje të qartë të lirive e të drejtave themelore të njeriut”, kanë thënë nga kjo shoqatë.

”Apelojmë që kjo dhunë e ushtruar nga Policia të mos përsëritet kurrë më. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të ketë parasysh qëndrimet dhe propozimet e Vetëvendosjes në lidhje me negociatat me qeverinë serbe, pasi në të gjitha rastet qëndrimet e kësaj Lëvizjeje kanë qenë të drejta, parimore dhe në interes të qytetarëve të Kosovës “, thuhet në reagimin e “Illiricum Libertas”. (LajmeShqip.com)