Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 16:19

Shkup – Sot shënohen tetë vjet nga Lumturimi i shqiptares Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humanistja shqiptare fituese e Çmimit Nobël për Paqen.

Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza është bërë simboli i ndihmës për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi jetën e saj.

Humanistja me shtat të vogël, por me zemër të madhe do bënte që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh.

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza e Kalkutës u lumtunua me 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, ndërkohë që pritet Shenjtërimi i saj nga Kisha Katolike nga indianët, shqiptarët dhe të gjithë ata që admirojnë forcën e shpirtit dhe të misionit të saj bamirës.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në vitin 1979, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë Tereza lindi në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Nënë Tereza, e veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo kishte ngritur në vitin 1950, kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh, por nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t’i mungonte detit”.

“Shenjtore e të varfërve”, ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.