Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 09:22

Prishtinë (Plotësuar, 18:50- Portali LajmeShqip.com publikon ekskluzivisht kopjen e aktgjykimit për shpalljen fajtor të Fahrudin Gashit, i njohur si Faruku.Hysri Rama është dënuar me gjashtë muaj burgim.

*******************

Prishtinë (Plotësuar, 15:51) – Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vendosur 18 vjet burg për Fahrudin Gashin, për të cilin ka thënë se provat janë të mjaftueshme për këtë verdikt. 

Portali do të publikojë edhe një CD tjetër të Nazim Bllacës, në të cilën konfirmohen shumë krime tjera ordinere.

*******************

Prishtinë – Sot do të vendoset për fatin e Fahredin Gashit në Gjykatë. Një trup gjykues pritet ta shpallë verdiktin që do të vërtetojë nëse ai ka vrarë Salih Gashin bashkë me Nazim Bllacën apo nëse dëshmia e të vetëshpallurit agjent i SHIK-ut ka qenë vetëm një trillim.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës pritet që pas një viti nga nisja e gjykimit kundër Fahredin Gashit – një biznesmen nga Shtimja dhe Hysri Ramës – një ish-polic i Kosovës ta shpallë aktgjykimit. Me këtë pritet të dihet edhe fati i Nazim Bllacës i cili në dhjetor të vitit 2009 doli publikisht në Prishtinë dhe denoncoi dhjetëra njerëz përfshirë edhe Azem Sylën e Fatmir Xhelilin duke i implikuar në krime të rënda që deri në atë kohë nuk dihej se kush i kishte kryer. Përveç fatit të këtyre dy njerëzve sot pritet të dihet edhe për fatin e EULEX-it që ka marrë përsipër këtë rast për ta cuar deri në fund. Ky mision evropian ka ngritur dy aktakuza bazuar në dëshmitë e Nazim Bllacës.

Në seancën e fundit të mbajtur dje në gjykatë, mbrojtja e Fahredin Gashit ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm. Dy avokatët e tij e kanë quajtur Nazim Bllacën gënjeshtar dhe kriminel ordiner që si qëllim ka pasur të marrë haraç deri në tre milionë euro nga Fahredin Gashi. Prokurori i EULEX-it, Maorizio Salustro ka kërkuar dënim maksimal me pretendimin se Gashi ka kryer vrasjen e Salih Gashit në një fshat të Lipjanit në Kosovën qendrore.

Portali LajmeShqip.com do t’u mbajë vazhdimisht të informuar sikurse edhe në të kaluarën lidhur me këtë rast. Portali do të publikojë edhe një CD tjetër të Nazim Bllacës. Në këtë CD konfirmohen shumë krime ordinere. Muaj më parë portali kishte publikuar dëshminë e Fahredin Gashit para hetuesve të Hagës. Ai e pranonte se ishte një bashkëpunëtor i regjimit që kishte revole me leje. Ai ishte arrestuar nga UÇK-ja por më vonë ishte liruar dhe ishte bërë ushtar i UÇK-së.  (LajmeShqip.com)