Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 14:28

Tiranë – Urdhri për largimin e 300 policëve nga puna është firmosur para pak ditësh dhe aktualisht është shpërndarë në strukturat bazë të policisë, ku uniformat blu janë njoftuar për largim nga Policia e Shtetit, për shkak të ngeljes në testimet e kryera për kursin bazë policor. Ata mësohet se i përkasin rolit bazë të policisë, ndërkohë që shpërndarja gjeografike nuk ka lënë jashtë as punonjësit e policisë në Drejtorinë e Tiranës.

Urdhri për largimet

Nga të dhëna të besueshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se urdhri vjen në zbatim të rregullores së vendosur për kursin bazë të policisë, i cili ishte me detyrim të kryhej nga çdo punonjës policie i rolit bazë, duke iu përshtatur kushteve të sugjeruara nga programi amerikan ICITAP. Sipas të dhënave, që në fillim të vitit 2008, kur është vendosur që çdo punonjës i rolit bazë, pra ata policë që kanë mbaruar shkollën 1-vjeçare, do t’i nënshtrohen kursit 11-javor, ishte deklaruar se personat që do të merrnin maksimumin e pikëve negative do të largoheshin nga Policia e Shtetit. Në këto kushte, kursi për rolin bazë të policisë është në përfundim të programit, kështu që janë përpiluar listat e të gjithë punonjësve që kanë ngelur gjatë këtyre viteve dhe para pak ditësh, shumicës së tyre u është komunikuar largimi nga puna. Aktualisht, lista mendohet se shkon tek 300 punonjës policie, por ende nuk janë njoftuar të gjithë, ndërkohë që pritet që persona të tjerë të jenë ngelës në kursin aktual, që përfundon pas pak ditësh dhe në kursin e fundit, që pritet të fillojë në tetor.

Kursi i trajnimit

Me ndryshimin e ligjit të policisë, në vitin 2007 u vendos që të shkrihet Akademia e Policisë dhe të bëhet Shkolla Bazë e Policisë. Por, me këtë ndryshim, në ligj, ashtu siç u përcaktua edhe në Rregulloren e Personelit dhe atë të Disiplinës, u vendos që punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin mbaruar Akademinë 3-vjeçare të Policisë, por vetëm shkollimin njëvjeçar, që ka qenë më parë, pra punonjësit bazë dhe jo oficerët, duhej të përfundonin me detyrim këtë kurs policor, me qëllim për të mbajtur vendin e punës. Kështu, të gjithë punonjësit e policisë të rolit bazë, që afërsisht janë 5 mijë veta, i janë nënshtruar këtij kursi nga viti 2008 deri sivjet, i cili ka afatin e përfundimit në fund të këtij viti. Madje, ata i kanë ndjekur studimet, pikërisht 11 javë teori dhe 11 javë praktikë, me shkëputje nga puna, pavarësisht se rroga vazhdonte t’u jepej.

Kriteret

Por, për të përfunduar këtë kurs me sukses ishin vendosur disa kritere, ku kërkohej që në total të testimeve, punonjësi i policisë të mblidhte 70 për qind të krediteve, ose ndryshe përjashtohej nga kursi, rrjedhimisht largohet nga policia. Sipas të dhënave, gjatë 11 javëve ata kanë pasur 11 teste gjithsej për të mbledhur 70 për qind të krediteve. Kështu, ata i janë nënshtruar gjashtë testeve javore, një testi për ndihmën e shpejtë, një testi për armët e zjarrit, dy testeve mujore dhe testit përmbledhës. Por, një nga këto teste ka qenë i detyrueshëm për të kaluar në fazën tjetër të kursit, i cili është ai për armët e zjarrit. Punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë kaluar këtë test janë përjashtuar nga kursi dhe do t’u jepet mundësia për ritestim dhe mbarimin e pjesës tjetër të kursit pas muajit tetor.(T.Ch)