Lajme Shqip Wednesday, 07 August 2013 13:15

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Bashkisë Islame të Kosovës (BIK), Xhabir Hamiti ka thënë se Myftiu Naim Tërnava nuk ka të drejtë të rikandidojë për kryetar të këtij institucioni. Sipas Hamitit, myftiut Tërnava një gjë të tillë nuk ia lejon Kushtetuta e BIK-ut.
“Mandati i kryetarit të tanishëm përfundon sipas kontratës që ka më 18.10.2013. Ai nuk ka të drejtë rikandidimi për postin e tretë, në bazë të nenit 49, paragrafi i dytë i Kushtetutës së BIK-ut, në të cilin thuhet se: ‘Kryetar i Kryesisë nuk mund të jetë i njëjti person më shumë se dy mandate’”, ka deklaruar Hamiti në një intervistën për “Epoka e re”.
Hamiti ka thënë se nuk do t’i ikë kandidaturës për kryetar të BIK-ut. Ai ka thënë se BIK-u ka nevojë të riorganizohet dhe të shkëputet nga mentaliteti i vjetër. “Është absurde që në shekullin XXI, në Kushtetutën e BIK-ut, ende të figurojë neni 44, paragrafi dy, në të cilin thuhet se gjysma e anëtarëve të kryesisë mund të jenë me shkollë të mesme!”, është shprehur Hamiti.